Media izraelite: Eshtrat e kthyera nga Hamasi nga Gaza nuk janë të pengjeve

Media izraelite: Eshtrat e kthyera nga Hamasi nga Gaza nuk janë të pengjeve

Mbetjet mortore të tre personave që Hamasi ia dorëzoi Izraelit nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) të premten mbrëma, nuk u përkasin pengjeve izraelite, raportoi sot media lokale, transmeton Anadolu.

Transmetuesi publik i Izraelit, KAN, duke cituar një burim izraelit pa emër, tha se mbetjet “nuk i përkasin asnjërit prej të rrëmbyerve izraelitë”.

Edhe Radioja e Ushtrisë konfirmoi se asnjë nga mbetjet “nuk i përkiste asnjërit prej pengjeve”.

Kryqi i Kuq i transferoi të premten mbetjet e trupave në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore në Tel Aviv për ekzaminim.

Nuk u dhanë detaje rreth rrethanave apo kushteve në të cilat ndodhi dorëzimi.

Që nga fillimi i fazës së parë të marrëveshjes për armëpushim në Gaza më 10 tetor, Hamasi ka liruar 20 pengje izraelite të gjalla dhe ka dorëzuar mbetjet e 19 prej 28 të tjerëve, shumica izraelitë. Megjithatë, Izraeli ka pretenduar se një nga trupat e marrë nuk përputhej me asnjërin nga të listuarit si të rrëmbyer.

Izraeli ka vrarë 211 palestinezë dhe ka plagosur 597 të tjerë që nga armëpushimi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Izraeli e ka kushtëzuar fillimin e negociatave për fazën e dytë të armëpushimit me dorëzimin e të gjitha trupave të pengjeve. Hamasi thotë se procesi kërkon kohë për shkak të shkatërrimit masiv në Gaza.

Faza e parë e marrëveshjes parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të gati 2.000 të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu përfshin rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Izraeli ka vrarë më shumë se 68.500 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 170.600 të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori 2023.

MARKETING