Më 27 nëntor do të votohet Komisioni i ri Evropian
Parlamenti Evropian e ka vendosur në rend dite për seancën plenare të 27 nëntorit votimin për konfirmimin e përbërjes së re të Komisionit Evropian.
Në këtë seancë, përbërjen e re të KE-së para deputetëve evropianë do ta paraqesë Ursula von der Leyen, e cila do të jetë në krye të krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar.
PE-ja e caktoi 27 nëntorin si datë për votimin e përbërjes së re të KE-së pasi u arrit pajtim mes grupimeve kryesore politike për konfirmimin e të gjithë komisionarëve të propozuar.
Komisionarët e propozuar kanë kaluar nëpër seanca dëgjimore në komisionet përkatëse të PE-së dhe tani secili nga ta ka marrë mbështetjen për të ushtruar detyrën e komisionarit në fushën që është caktuar.
Mospajtimet janë tejkaluar mes tri grupeve proevropiane, Partisë Popullore Evropiane (EPP), që është grupi më i madh, Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) që është grupi i dytë për nga madhësia dhe grupit të liberalëve i cili ka shënuar rënie dhe është grupi i pestë për nga numri i përgjithshëm i deputetëve në PE.
Partia në pushtet në Hungari është pjesë e grupit “Patriotët për Evropën“, ndërsa Partia e kryeministres së Italisë, Georgia Meloni, është pjesë e grupit “Konservatorëtdhe reformistët”.
Burimet e Radios Evropa e Lirë në PE, por edhe në KE, kanë shprehur siguri se më 27 nëntor me shumicën e nevojshme do të votohet përbërja e re e KE-së. Kjo do t’i mundësojë Komisionit të ri që të nisë zyrtarisht mandatin më 1 dhjetor.
Me rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vjetët e ardhshëm më së shumti do të merren komsionarja e ardhshme për Zgjerim, Marta Kos, nga Sllovenia dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Që të dyja, gjatë seancave dëgjimore kanë premtuar se do të angazhohen që në pesë vjetët e ardhshëm zgjerimi i BE-së të bëhet realitet./REL