Mbyllet sërish qeveria amerikane, ngërçi te financimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare

Mbyllet sërish qeveria amerikane, ngërçi te financimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është mbyllur pjesërisht, pavarësisht një marrëveshjeje financimi të miratuar nga Senati.

Ndërprerja e financimit filloi në mesnatë nga e premtja në të shtunë sipas kohës lokale, disa orë pasi senatorët ranë dakord të financonin shumicën e agjencive deri në shtator. Projektligji përfshin vetëm dy javë financim për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjit për emigracionin, në vend që ta mbyllë atë tërësisht.

Marrëveshja ende nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila aktualisht nuk po mban seanca.

Presidenti amerikan Donald Trump, arriti marrëveshjen me demokratët pasi ata refuzuan të jepnin më shumë fonde për zbatimin e ligjit për emigracionin pas të shtënave fatale të dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis nga agjentët federalë.

Kjo është mbyllja e dytë e qeverisë brenda një kohe të shkurtër dhe vjen vetëm 11 javë pas përfundimit të bllokimit të mëparshëm të financimit që zgjati 43 ditë, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Mbyllja e qeverisë në vitin 2025, nga 1 tetori deri më 14 nëntor, pati ndikime të gjera në shërbimet thelbësore qeveritare, përfshirë udhëtimin ajror, dhe la qindra mijëra punonjës federalë pa paga për javë të tëra.

Por kjo mbyllje e pjesshme nuk ka gjasa të jetë kaq e gjatë ose e përhapur në shumë shërbime, pasi Dhoma e Përfaqësuesve do të rifillojë seancën të hënën.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë u ka udhëzuar disa agjencive, përfshirë departamentet e transportit, arsimit dhe mbrojtjes, që të zbatojnë planet e mbylljes.

Ligjvënësit planifikojnë të përdorin periudhën dy javore gjatë së cilës Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të financohet për të negociuar një marrëveshje. Demokratët duan që kjo marrëveshje të përfshijë politika të reja për agjentët e zbatimit të ligjit për emigracionin.

MARKETING