Mbreti Salman i Arabisë Saudite dhe princi i kurorës dënuan sulmin terrorist në Ankara

Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz dhe princi i kurorës, Mohammed bin Salman, i dërguan telegram presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ku deklaruan se dënojnë sulmin terrorist të së dielës në Ankara, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Kemi marrë lajmin për sulmin terrorist në Ankara dhe për plagosjen e dy oficerëve të policisë. Ne e dënojmë këtë akt kriminal dhe informojmë shkëlqesinë tuaj se Mbretëria e Arabisë Saudite qëndron në krah të Republikës së Türkiyes dhe popullit të saj vëlla”, thuhet në telegramin e mbretit Salman, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve SPA.
“I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve dhe i lutemi Zotit që ta mbrojë vendin dhe popullin tuaj nga të gjitha llojet e të këqijave”, thuhet në telegram.
Në një lajm tjetër të SPA-së, theksohet se princi i kurorës Mohammed bin Salman po ashtu i dërgoi një telegram presidentit Erdoğan, duke e dënuar sulmin terrorist në Ankara.
Të dielën, një kamikaz hodhi veten në erë përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë në kryeqytetin e Türkiyes, Ankara.
Dy policë pësuan lëndime të lehta, ndërsa një tjetër terrorist u vra nga forcat e sigurisë në hyrje.
Ministria e Brendshme turke konfirmoi lidhjet e sulmuesve me grupin terrorist PKK.