Mbi gjysmë milioni njerëz të zhvendosur nga përleshjet kufitare Tajlandë-Kamboxhia
Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë detyruar të largohen drejt vendeve më të sigurta në mes të përleshjeve vdekjeprurëse kufitare mes Tajlandës dhe Kamboxhias, thanë sot të dyja palët, transmeton Anadolu.
“Mbi 400 mijë njerëz janë evakuuar drejt strehimoreve të sigurta”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, Surasant Kongsiri, në një konferencë për mediat, duke shtuar se mbi 700 shkolla janë mbyllur.
“Tajlanda qëndron fort për paqen, por paqja duhet të vijë me sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë”, tha Surasant, sipas një videoregjistrimi të deklaratës së tij. Zhvendosja e njerëzve raportohet në shtatë provinca kufitare të Tajlandës.
Kamboxhia ka raportuar gjithashtu zhvendosjen e mbi 127 mijë njerëzve në anën e saj të kufirit, pasi të dyja palët kanë përdorur armë të rënda, sipas gazetës kamboxhiane “Khmer Times”.
Të paktën 14 persona, përfshirë nëntë civilë kamboxhianë dhe pesë ushtarë tajlandezë, raportohet të jenë vrarë që nga e hëna. Nëntë civilë kamboxhianë, përfshirë një foshnjë dhe 46 të tjerë janë plagosur nga sulmet tajlandeze, raportoi sot “Phnom Penh Post”.
Autoritetet në të dy anët e kufirit kanë mbyllur shkolla dhe disa prej tyre janë shndërruar në strehimore emergjente. “Luftimet e ashpra mes forcave tajlandeze dhe kamboxhiane po vazhdojnë për ditën e katërt sot, me trupat kamboxhiane që po lëshojnë raketa, mortaja dhe bombardime artilerie”, raportoi “Thai PBS”.
Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e përleshjeve të fundit duke thyer marrëveshjen e paqes të nënshkruar në tetor, në prani të presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim në Kuala Lumpur.
Washingtoni ka shprehur shqetësim për përleshjet vdekjeprurëse dhe pritet që Trumpi të flasë me udhëheqësit e të dy vendeve. Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul ka deklaruar se “qëndrimi i Tajlandës mbetet i pandryshuar, nuk ka armëpushim”.
Të dy fqinjët e Azisë Juglindore kanë një mosmarrëveshje kufitare që vazhdon prej dekadash, e cila ka sjellë përleshje të herëpashershme.

