Mbi 63 varre masive në Siri, parashikohen nga 120 mijë deri në 300 mijë të zhdukur

Mbi 63 varre masive në Siri, parashikohen nga 120 mijë deri në 300 mijë të zhdukur

Kreu i Autoritetit Kombëtar Sirian për Personat e Zhdukur, Mohammad Reza Jalkhi tha se në vend ndodhen më shumë se 63 varre masive të dokumentuara dhe se parashikimet për numrin e personave të zhdukur variojnë nga 120 mijë deri në 300 mijë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për Agjencinë Siriane të Lajmeve (SANA), Jalkhi shpjegoi se hapësira e kompetencës së autoritetit përfshin periudhën nga viti 1970 deri në ditët e sotme, duke shtuar se nuk është caktuar afat kohor specifik për përfundimin e punës.

Ai thekson se ka më shumë se 63 varre masive të dokumentuara dhe se midis 120.000 dhe 300.000 njerëz janë të zhdukur. Sipas tij, plani i agjencisë për të filluar punën aktuale në terren përbëhet nga gjashtë faza, secila prej të cilave do të zgjasë nga 3 deri në 6 muaj.

Jalkhi tha se dosja e personave të zhdukur është një nga çështjet komplekse dhe të dhimbshme të Sirisë dhe se aktivitetet e agjencisë do të jenë gurthemeli i drejtësisë për periudhën e tranzicionit dhe procesit të paqes shoqërore.

Pasi bëri të ditur se ata po punojnë në përputhje me gjashtë parime, përfshirë pjesëmarrjen, transparencën dhe përfshirjen, Jalkhi shtoi se brenda këtij kuadri është krijuar një strukturë e përkohshme, duke formuar bord këshillimor dhe 5 komitete ekzekutive që do të shërbejnë në zonën e punimeve.

Më tej ai thotë se janë duke u zhvilluar përgatitjet për të lançuar platformë dixhitale kombëtare për personat e zhdukur. “Kjo platformë do të krijojë një bankë të dhënash për personat e zhdukur. Po zhvillohet një projekt kartash me qëllimin për të ofruar mbështetje ligjore, psikologjike dhe sociale për të afërmit e personave të zhdukur”, tha Jalkhi.

“Po punohet mbi protokollet për mbrojtjen e dëshmitarëve, mbledhjen dhe ndarjen e të dhënave”, tha Jalkhi duke shtuar se janë duke zhvilluar konsultime me palët ndërkombëtare në Gjenevë dhe se protokollet e bashkëpunimit janë nënshkruar në këtë kontekst në fushat e dokumentacionit ligjor dhe mjekësisë mjeko-ligjore.

Jalkhi potencon se qasja themelore është që çështja e personave të zhdukur të trajtohet nga sirianët dhe se do të mbahet konferencë kombëtare me pjesëmarrje të gjerë për të adresuar të drejtat dhe nevojat e të afërmve të personave të zhdukur.

Ai thotë se përgjegjësitë kryesore të institucionit janë mbledhur rreth boshtit të “mbështetjes dhe dokumentimit” dhe se në këtë kuadër do të përdoren të dhënat e ADN-së dhe gjurmët gjenetike të gishtërinjve.

“Janë marrë miratimet e nevojshme për të përfituar nga laboratorët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Autoriteti Sirian i Energjisë Atomike dhe janë siguruar grante me qëllimin që personeli sirian të trajnohet në vendet evropiane në fushën e mjekësisë ligjore dhe dokumentimin”, tha Jalkhi..

MARKETING