Mbi 300 të arrestuar në protestat mbarëkombëtare me pjesëmarrjen e 1 milion njerëzve në Francë

Mbi 300 të arrestuar në protestat mbarëkombëtare me pjesëmarrjen e 1 milion njerëzve në Francë

Policia franceze ka arrestuar 309 persona, përfshirë 134 të vendosur në paraburgim, gjatë protestave mbarëkombëtare ku morën pjesë 1 milion njerëz kundër reformës së pensioneve dhe rënies së fuqisë blerëse, transmeton Anadolu.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bruno Retailleau, përshëndeti faktin se Franca “nuk ishte bllokuar” pavarësisht asaj që ai e përshkroi si pjesëmarrja e “7.300 individëve të radikalizuar”.

Greva, e nisur më 18 shtator me thirrjen e disa sindikatave, sipas autoriteteve tërhoqi më shumë se 500 mijë demonstrues, ndërsa sindikata CGT pretendoi se pjesëmarrja tejkaloi 1 milion.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se arrestimet ishin kryesisht të lidhura me dhunën, dëmtimin e pronës dhe marshimet e paautorizuara.

Kryeministri Sebastien Lecornu dënoi “abuzimet” që synonin policinë dhe “dëmin e shkaktuar” gjatë protestave.

Sipas autoriteteve, shtatë oficerë të policisë, dhjetë protestues dhe një gazetar u plagosën në tubime.

Megjithatë, sindikatat e përshëndetin mobilizimin si një “sukses” dhe pritet të takohen me kryeministrin Lecornu “në ditët në vijim” për bisedime.

Kryeministri francez theksoi se kërkesat e shprehura nga sindikatat dhe protestuesit janë “në zemër” të konsultimeve të vazhdueshme.

Veprimi i 18 shtatorit vjen pas mobilizimit “Blloko gjithçka” javën e kaluar, që tërhoqi gati 197 mijë njerëz në të gjithë vendin.

– Plani i diskutueshëm i buxhetit kombëtar

Franca po përballet me tensione politike në rritje, pasi Bayrou humbi një votëbesim në Asamblenë Kombëtare më 8 shtator.

Bayrou, i cili zbuloi një kornizë buxhetore për vitin 2026 në muajin korrik, po kërkonte mbështetje për një plan për të kursyer gati 44 miliardë euro në kuadër të përpjekjeve për të ulur borxhin publik në rritje të Francës, i cili tani është 113 për qind e prodhimit bruto të brendshëm.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, emëroi ministrin e Forcave të Armatosura, Sebastien Lecornu, si kryeministrin e ri të vendit. Ai është ngarkuar me detyrën e mbajtjes së konsultimeve me partitë politike para se të formojë qeverinë e tij.

Franca ka një nga deficitet më të mëdha buxhetore të BE-së, me 5,8 për qind të prodhimit bruto të brendshëm.

Negociatat për buxhetin kanë qenë një burim i madh tensioni në politikën franceze.

Dështimi për të arritur një marrëveshje për buxhetin e vitit 2025 vitin e kaluar gjithashtu çoi në rrëzimin e qeverisë së Michel Barnier-it në muajin dhjetor, pasi partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë bashkuan forcat për të mbështetur një mocion mosbesimi.

MARKETING