Mbi 270 të plagosur në Izrael nga raketat iraniane

Të paktën 271 persona u plagosën nga breshëria e fundit raketore iraniane në Izrael sot, tha Ministria e Shëndetësisë e Izraelit, transmeton Anadolu.
MARKETING
Katër prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, shtoi ministria.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, rreth 20-30 raketa iraniane shënjestruan qytetet qendrore të Izraelit, duke përfshirë Tel Avivin, Ramat Gan, Holon si dhe spitalin “Soroka” në qytetin jugor të Beershebas.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit IRNA pretendon se raketat shënjestruan selinë e ushtrisë dhe shërbimit të inteligjencës izraelite pranë spitalit “Soroka” dhe se vala e shpërthimit shkaktoi lëndime në objekt.
“Ne do të vazhdojmë të sulmojmë çdo objektiv që i përket regjimit agresiv sionist dhe nuk shohim asnjë kufizim para nesh”, tha shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneral major Abdolrahim Mousavi, njoftoi agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, Tasnim.
Ushtria izraelite, nga ana e saj, tha se kishte shënjestruar reaktorin bërthamor “Arak” në jugperëndim të Teheranit dhe një vend për zhvillimin e armëve bërthamore në Natanz, në juglindje të kryeqytetit.
Armiqësitë filluan të premten kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke e shtyrë Teheranin të nisë sulme hakmarrëse. Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet me raketa iraniane.
Ndërkohë, në Iran, 585 persona janë vrarë dhe më shumë se 1.300 janë plagosur në sulmin izraelit, sipas raportimeve të medias iraniane.