Maqedonci: Serbia, mbështetësja më e madhe e destabilizimit në Ballkanin Perëndimor

Maqedonci: Serbia, mbështetësja më e madhe e destabilizimit në Ballkanin Perëndimor

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Bratsillav Gashiq, i cili ka thënë se institucionet e Kosovës po “sajojnë luftën kundër krimit për qëllime terrori dhe spastrimi etnik”.

Ai ka thënë se kjo është një deklaratë në frymën e shefit të tij, Aleksandër Vuçiq, dhe idolit të tyre të përbashkët ideologjik, kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.

Maqedonci ka thënë se politika shtetërore e Serbisë mbetët kërcënimi më i madh për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Kur flasim për krimin dhe destabilizimin, i kujtojmë Ministrit Gashiq se politika shtetërore e Serbisë mbetet gjeneratorja dhe mbështetësja më e madhe dhe më e rrezikshme e destabilizimit dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Përmes një lufte hibride — që përfshin kërcënimin konvencional përmes militarizimit të zonave përreth Kosovës, mbështetjen dhe strehimin e grupeve terroriste të udhëhequra nga krimineli Millan Radoiçiq, fushatave të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, luftës diplomatike dhe sponsorizimit të akteve të sabotazhit — strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi synojnë destabilizimin e qëllimshëm të Republikës së Kosovës, si dhe minimin e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj”, ka shkruar Maqedonci.
Kreu në detyrë i Mbrojtjes, ka thënë se Serbia ka ashpërsuar fushatën dhe kërcënimet ndaj Kosovës pas veprimeve të suksesshme sipas tij, për vendosjen e rendit dhe ligjshmërië në tërë territori e Kosovës.

“Kjo fushatë kundër shtetit tonë është ashpërsuar dukshëm si pasojë e sukseseve të prekshme të Qeverisë dhe institucioneve të udhëhequra nga Kryeministri Albin Kurti, në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës, forcimin e administratës dhe rregullësisë shtetërore, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe jetës së çdo qytetari, pa dallim”, ka shkruar ai.

MARKETING