Mali i Zi rikthen udhëtimin pa viza me Turqinë
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, tha se beson që vendimi i marrë pak kohë më parë për pezullimin e udhëtimit pa viza me Turqinë do të anulohet brenda 10-15 ditësh, transmeton Anadolu.
Ibrahimoviq mbajti një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, i cili zhvilloi vizitë zyrtare në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë.
I pyetur lidhur me pezullimin e udhëtimit pa viza me Turqinë pas një incidenti të ndodhur në fund të tetorit në Mal të Zi, ku pretendohej për përfshirje qytetarësh turq, Ibrahimoviq tha: “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin (Milojko Spajiq). Besoj se vendimi për pezullimin e udhëtimit pa viza (me Turqinë) do të anulohet brenda 10-15 ditësh”.
Ibrahimoviq shtoi se pas pezullimit të udhëtimit pa viza, në përfaqësitë diplomatike të Turqisë në Mal të Zi është krijuar një fluks i madh qytetarësh.
– Hetimi zbuloi se shtetasit turq nuk ishin të përfshirë në incidentin në Mal të Zi
Një sulm me thikë kundër një burri malazez më 25 tetor, për të cilin fillimisht mediat raportuan për përfshirje shtetasish turq, shkaktoi një valë ndjenjash antiturke në disa pjesë të Podgoricës dhe e shtyu kryeministrin Milojko Spajiq të njoftonte pezullimin e regjimit pa viza për shtetasit turq.
Gjykata e Lartë e Malit të Zi në Podgoricë njoftoi më 31 tetor se dy individët e ndaluar me akuza për përfshirje në sulmin me thikë në qytet ishin liruar pasi u përcaktua se ata nuk ishin të lidhur me incidentin.

