Mali i Zi, Presidenti Millatoviq propozon Spajiqin si mandatar për formimin e qeverisë

Mali i Zi, Presidenti Millatoviq propozon Spajiqin si mandatar për formimin e qeverisë

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do t’i propozojë Kuvendit që mandatar për formimin e qeverisë së re të jetë lideri i Lëvizjes Evropa Tani (PES) Millojko Spajiq, raporton Anadolu.

Këtë e ka bërë të ditur Millatoviq në një konferencë për media në Cetinje, pasi në dhjetë ditët e fundit ka zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e 18 subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend.

PES fitoi më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të qershorit dhe do të ketë 24 deputetë në Kuvend.

Spajiq, sipas Kushtetutës, ka një afat prej 90 ditësh për të siguruar mbështetjen e së paku 41 deputetëve, për të formuar Qeverinë pas marrjes së mandatit.

“Gjatë procesit të konsultimit u kristalizua vetëm një propozim i kandidatit për mandatar për përbërjen e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi dhe ai është bartësi i listës ‘Evropa Tani’ në zgjedhjet e fundit parlamentare – Millojko Spajiq”, tha Millatoviq duke shtuar:

“Z. Spajiq u përkrah nga subjektet politike që kanë gjithsej 44 mandate parlamentare në Kuvendin e Malit të Zi, përkatësisht Lëvizja Evropa Tani, Mali i Zi Demokratik, Partia Boshnjake, Partia Popullore Socialiste, Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve, Forca e Re Demokratike FORCA dhe Iniciativa Qytetare Kroate. Një numër i caktuar i subjekteve politike, kryesisht nga koalicioni ‘Për të ardhmen e Malit të Zi’, kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur Spajiqin pas një marrëveshjeje të mundshme për qeverinë e ardhshme”.

Presidenti malazez tha se kjo shënon fillimin e fazës së ardhshme, e cila përfshin arritjen e marrëveshjes politike dhe formimin e shumicës parlamentare që do të zgjedhë Qeverinë.

“Unë pres përgjegjësi dhe përshtatshmëri nga zoti Spajiq si mandatar i ardhshëm, si dhe nga të gjithë aktorët politikë që marrin pjesë në negociatat për formimin e Qeverisë”, shtoi Millatoviq.

MARKETING