Maduro mbërrin në gjykatën e New York
Ish-Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores, kanë mbërritur në ambientet e gjykatës së New York-ut, këtë të hënë, 5 janar 2026.
Maduro dhe Flores u shoqëruan nga agjentë të DEA-s përmes një helikopteri, i cili u ul në Manhattan. Nga pamjet e shpërndara nga mediat ndërkombëtare, shfaqet Maduro i cili duket se ka veshur rroba tipike të burgut.
Po kështu, vihet re se ai po çalonte paksa në ecje, por nuk ka ndonjë shpjegim për këtë gjë nga mediat ndërkombëtare
Kujtojmë se autoritetet amerikane e akuzojnë Maduro-n për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar kriminal të lidhur me trafikun e drogës drejt Shteteve të Bashkuara.
Seanca dëgjimore e ish-presidentit venezuelian do të zhvillohet para gjyqtarit amerikan Alvin Hellerstein, një jurist me përvojë të gjatë, i cili ka mbikëqyrur këtë çështje për më shumë se një dekadë.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar gjyqtarin Hellerstein si “shumë të respektuar” dhe ka mbrojtur veprimet e administratës së tij, duke i paraqitur ato si pjesë të një lufte kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe korrupsionit shtetëror.
Kapja e Maduros nga forcat amerikane ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, veçanërisht nga Kuba, e cila deklaroi se 32 shtetas kubanë u vranë gjatë operacionit amerikan në Venezuelë. Sipas qeverisë kubaneze, viktimat po kryenin misione ushtarake në bashkëpunim me autoritetet venezueliane.
Si pasojë, Havana shpalli dy ditë zie kombëtare, më 5 dhe 6 janar. Mediat amerikane thonë se janë mbi 80 të vrarë nga operacioni për arrestimin e Maduros të shtunën.

