Macron e konsideron si “të drejtë” lejen për Ukrainën mbi përdorimin e rak’etave në territorin rus
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se ai e konsideron si “absolutisht të drejtë” vendimin e Washingtonit në lidhje me lajmet se SHBA-ja ka dhënë leje që raketat me rreze të gjatë veprimi me të cilat ka furnizuar Ukrainën të përdoren në territorin rus, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi publik francez “Franceinfo”, Macron në deklaratën e tij për mediat në Brazil në kuadër të Samitit të Liderëve të G20, ka folur rreth dhënies së lejes së SHBA-së për Ukrainën për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus.
Macron deklaroi se ai e konsideron si “absolutisht të drejtë” vendimin e SHBA-së për të lejuar Ukrainën të përdorë këto raketa dhe mbrojti idenë se në luftën Rusi-Ukrainë është përjetuar një ndryshim serioz me mobilizimin e trupave të Koresë së Veriut në anën e Rusisë.
Ai thekson se Rusia është pala që përshkallëzon tensionet. “Siç dihet ajo e bën këtë duke tërhequr Korenë e Veriut, e cila është një fuqi shumë agresive dhe zhvillon program bërthamor me raketa me rreze të gjatë veprimi. Kjo situatë është një pikë thyerje serioze në këtë luftë, e cila ndikoi në vendimin e SHBA-së”, tha Macron.
Në konferencën e fundit për media, zëvendës-zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon), Sabrina Singh nuk konfirmoi pretendimet në mediat amerikane se Washingtoni ka dhënë leje që sistemet e saj raketore taktike me rreze të gjatë (ATACMS) që i ka dhënë Ukrainës, të përdoren në mënyrë të kufizuar në territorin rus.