“Lufta” me flakët në Shqipëri, 58 vatra zjarri në 24 orët e fundit

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë regjistruar 58 vatra zjarri, shumica prej të cilave janë shuar me sukses, ndërsa vetëm një vatër mbetet ende aktive në qarkun e Lezhës.
MARKETING
Zjarri aktiv ndodhet në fshatin Markatomaj, njësia administrative Zejmen, bashkia Lezhë, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të përzier. Katër automjete zjarrfikëse me personel të specializuar, si dhe banorë të zonës, kanë ndërhyrë në izolimin e vatrës që në orët e para të mëngjesit të së dielës. Pavarësisht përpjekjeve, trungjet vazhdojnë të vetëndizen për shkak të erës, çka po e vështirëson plotësisht shuarjen e zjarrit.
Përhapja e zjarreve në qarqe:
Lezhë: 8 vatra, të gjitha të shuar përveç njërës.
Berat: 5 vatra, të neutralizuara plotësisht.
Gjirokastër: 2 vatra, të shuar.
Fier: 8 vatra, kryesisht në shkurre dhe bimësi, të gjitha të shuar.
Elbasan: 3 vatra, në fshatrat Petresh, Labinot Fushë dhe Kodër Bujaras, të gjitha të neutralizuara.
Tiranë: 12 vatra, përfshirë një incident në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli” ku pati vetëm dëme materiale.
Durrës: 5 vatra, të gjitha të izoluara.
Shkodër dhe Korçë: nga 2 vatra në secilin qark, të shuar.
Vlorë: 3 vatra, të gjitha të neutralizuara.
Bilanci i dëmeve përfshin rreth 32 hektarë bimësi të djegur, përfshirë edhe lis, arra dhe ullinj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
85 automjete zjarrfikëse
557 forca operacionale
1 helikopter dhe njësi nga Forcat e Armatosura
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, rreziku për zjarre sot është i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera rreziku është i moderuar.
Ministria e Mbrojtjes apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar që të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo rast emergjent tek strukturat vendore përkatëse.