LSDM: Qeveria po zhvillon bisedime me Britaninë e Madhe për pranimin e emigrantëve në RMV

Partia opozitare LSDM ka akuzuar Qeverinë se po e fsheh nga opinionin bisedimet që po zhvillon me Britaninë e Madhe për pranimin e migrantëve në vend.
Nga LSDM thanë se pas informatave që kanë, tema e migrantëve ka qenë në fokusin e takimeve që delegacioni qeveritar ka zhvilluar ditët e fundit në Londër, pasi Britania e Madhe ofron investim stategjik për vendet e rajonit, por se kjo vjen në pako me bisedime dhe oferta për hapjen e kampeve për migrantë.
“Meqë qeveria jonë pothuajse një vit po negocion për lloje të tilla huash dhe investimesh, dhe ka paralajmëruar një kredi prej 7 miliardë eurosh nga Britania, Mickoski tashmë nuk mund të fshihet dhe duhet të përgjigjet qartë: Çfarë saktësisht është biseduar në temën e migrantëve dhe kampeve për migrantë? A është e vërtetë që me marrëveshjen për huanë ekziston edhe një marrëveshje tjetër për migrantët, të cilën qeveria nuk e ka bërë publike? Pse Mickoski, i cili merret vetëm me PR, ka refuzuar një intervistë të rëndësishme për gazetën ‘The Times’? Këtë e ka konfirmuar vetë mediumi. Pse është shmangur, nëse nuk ka çfarë të fshehë?”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.