Linjat ajrore zgjasin pezullimet e fluturimeve për në Izrael mes frikës nga sulmet e grupit Huthi

Linjat ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar fluturimet gjatë gjithë javës së kaluar mes frikës në rritje nga sulmet e reja me raketa nga grupi Huthi i Jemenit, transmeton Anadolu.
MARKETING
Ndër transportuesit e fundit që njoftuan anulime ishte linja ajrore spanjolle “Air Europa”, e cila sot tha se do të anulojë fluturimet e saj të planifikuara Tel Aviv-Madrid për të dielën, duke përmendur “situatën në Izrael”. Vendimit i shtohet një liste në rritje e linjave ajrore që shmangin hapësirën ajrore izraelite mes tensioneve në rritje rajonale.
Më herët gjatë javës “Iberia Express”, një tjetër linjë ajrore spanjolle, zgjati pezullimin e fluturimeve deri më 1 qershor. Sipas një raporti nga gazeta “Yedioth Ahronoth”, aviokompania “British Airways” anuloi të gjitha fluturimet drejt dhe nga Izraeli deri më 15 qershor.
Ndërprerja vjen pas një incidenti të madh të sigurisë të dielën e kaluar, kur një raketë balistike e lëshuar nga grupi Huthi i Jemenit ra pranë aeroportit kryesor ndërkombëtar të Izraelit në kryeqytetin Tel Aviv, duke plagosur shtatë persona dhe duke shkaktuar pezullim të përkohshëm të të gjitha ngritjeve dhe uljeve në aeroportin “Ben Gurion”.
Grupi Huthi tha se sulmi ishte në hakmarrje për luftën e vazhdueshme gjenocidale të Izraelit në Gaza. Në përgjigje të kërcënimit, transportuesit amerikanë “United Airlines” dhe “Delta Air Lines” zgjatën pezullimet e tyre, përkatësisht deri më 18 dhe 19 maj.
Grupi “Lufthansa” i Gjermanisë, i cili përfshin kompanitë “Lufthansa”, “SWISS”, “Austrian Airlines”, “Brussels Airlines” dhe “Eurowings”, ka pezulluar fluturimet deri më 11 maj. “Air France” dhe dega e saj “Transavia” gjithashtu kanë pezulluar fluturimet deri më 13 maj.
“Wizz Air” i Hungarisë anuloi fluturimet deri më 8 maj ndërsa “Aegean Airlines” e Greqisë dhe “ITA Airways” e Italisë zgjatën pezullimet e tyre deri në mesin e muajit maj. Linja ajrore të tjera, duke përfshirë “LOT Polish Airlines”, “Air India”, “Air Baltic” dhe “Ethiopian Airlines”, gjithashtu kanë pezulluar ose kufizuar fluturimet në ditët e fundit.
Vala e vazhdueshme e anulimeve pasqyron shqetësimet në rritje për sigurinë e hapësirës ajrore izraelite, veçanërisht pas sulmeve ajrore të përbashkëta izraelito-amerikane në Jemen të hënën që vranë të paktën shtatë persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë.
Sulmet, të cilat shënjestruan qytetet Sana, Amran dhe Al-Hudaydah, shkaktuan dëme të gjera në infrastrukturë dhe detyruan mbylljen e aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit Sana.
Grupi Huthi ka shënjestruar anijet që kalojnë nëpër Detin e Kuq, Detin Arabik, ngushticën Bab al-Mandab dhe Gjirin e Adenit që nga nëntori i vitit 2023 në solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës, ku të paktën 52.800 palestinezë janë vrarë në sulmet brutale izraelite për më shumë se 19 muaj, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Grupi jemenas ndaloi sulmet kur u shpall një armëpushim në Gaza në muajin janar midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, por i rifilloi ato pas sulmeve të përsëritura ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës në muajin mars.