Lideri i ri suprem i Iranit premton të mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit
Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e mbyllur, duke theksuar se ky veprim është ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve SHBA-Izrael që filluan më 28 shkurt, transmeton Anadolu.
“Dëshira e masave të popullit është vazhdimi i një mbrojtjeje efektive që i shkakton pendim armikut”, tha Khamenei në mesazhin e tij të parë publik që nga emërimi si lider suprem.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Khamenei tha se Irani ka bërë vlerësime për hapjen e fronteve të tjera si pjesë e konfliktit në vazhdim, ku “armiku ka pak përvojë dhe ku do të ishte shumë i cenueshëm”.
Aktivizimi i këtyre fronteve mund të ndodhë, tha ai, “nëse situata e luftës vazhdon dhe në përputhje me konsideratat e interesit kombëtar”. Ai gjithashtu bëri thirrje për pjesëmarrje në ceremonitë e Ditës së Kudsit, ku “duhet të theksohet fryma e rezistencës kundër armikut”.
“Luftëtarët tanë trima e kanë ndalur armikun dhe kanë treguar se ai nuk mund të dominojë vendin”, deklaroi Khamenei, duke lavdëruar gjithashtu aktorët e “rezistencës”, përfshirë ata në Jemen, Gaza, Irak dhe grupin libanez Hezbollah.
Ai shtoi se Teherani do të “marrë hak për gjakun e iranianëve” që janë vrarë gjatë sulmeve.
Tensionet kanë përfshirë Lindjen e Mesme pasi Izraeli dhe SHBA-ja nisën sulme të përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, të cilat deri tani kanë vrarë më shumë se 1.300 persona, përfshirë ish-liderin suprem të vendit, Ali Khamenei, si dhe më shumë se 150 nxënëse. Më shumë se 10.000 persona të tjerë gjithashtu janë plagosur nga sulmet izraelite dhe amerikane.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe disa vende të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane. Tetë ushtarë amerikanë janë vrarë që nga fillimi i luftës.
Më herët këtë javë, Mojtaba u shpall pasardhës i babait të tij, Ali Khamenei.

