Lideri i opozitës izraelite kritikon vendimin e kabinetit për të pushtuar Gazën, e quan “katastrofë”

Lideri i opozitës izraelite kritikon vendimin e kabinetit për të pushtuar Gazën, e quan “katastrofë”

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid ka kritikuar ashpër vendimin e fundit të kabninetit për Gazën, duke e quajtur atë “një katastrofë që do të çojë në shumë katastrofa të tjera”, transmeton Anadolu.

Lapid akuzoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se kapitulloi para kërkesave ekstremiste të ministrave të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich.

Kritika nga Lapid, kreu i partisë Yesh Atid, vjen pasi Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi një plan nga Netanyahu për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.

“Në kundërshtim të plotë me mendimin e radhëve ushtarake dhe të sigurisë, pa marrë parasysh konsumimin dhe lodhjen e forcave ushtarake, Ben-Gvir dhe Smotrich e tërhoqën Netanyahun në një lëvizje që do të zgjasë me muaj”, tha Lapid.

Ai shtoi se kjo do të “çojë në vdekjen e pengjeve, vrasjen e shumë ushtarëve, do t’i kushtojë dhjetëra miliarda taksapaguesve izraelitë dhe do të çojë në një kolaps politik”. Lapid paralajmëroi se Izraeli do të “bllokohet në fushëbetejë pa një qëllim, pa përcaktuar pamjen e ditës tjetër dhe në një pushtim të padobishëm që askush nuk e kupton se ku po e çon”.

Izraeli është përballur me zemërim në rritje për luftën shkatërruese në Rripin e Gazës, ku të paktën 61.200 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën në enklavën palestineze.

MARKETING