Lideri i burgosur palestinez Marwan Barghouti pëson thyerje në brinjë pas sulmit në burgjet izraelite

Lideri palestinez i burgosur, Marwan Barghouti, ka pësuar thyerje në brinjë pasi është rrahur në burgjet izraelite, njoftoi Zyra e Medias për të Burgosurit, transmeton Anadolu.
Zyra, e drejtuar nga Hamasi, tha në Telegram se Barghouti u rrah nga rojet izraelite të burgut gjatë transferimit nga burgu Ramon në jug të Izraelit drejt burgut Megiddo në veri, në mes të shtatorit.
Sipas njoftimit, i burgosuri ka humbur vetëdijen dhe ka pësuar frakturë në katër brinjë.
Barghouti, 66 vjeç, është një figurë e lartë e lëvizjes Fatah të presidentit Mahmoud Abbas dhe një nga personazhet më të njohura dhe më popullore në politikën palestineze.
Ai po vuan pesë dënime me burgim të përjetshëm në burgjet izraelite që nga viti 2002, për akuza të lidhura me Intifadën e Dytë, e cila filloi në vitin 2000.
Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për fazën e parë të planit të tij, të paraqitur më 29 shtator, për armëpushim në Gaza, lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga gjithë Rripi i Gazës. Faza e parë e marrëveshjes hyri në fuqi të premten.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza, pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force shumëkombëshe dhe çarmatimin e Hamasit.
Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 68.000 palestinezë në enklavë, shumica gra dhe fëmijë, duke e bërë Gazën pothuajse të pabanueshme.