Liderët e BE-së kritikojnë kryeministrin hungarez për bllokimin e kredisë prej 103 miliardë dollarësh për Ukrainën
MARKETING
Liderët e Bashkimit Evropian (BE) kanë kritikuar ashpër kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për vazhdimin e bllokimit të paketës së kredisë prej 90 miliardë eurosh (103 miliardë dollarë) për Ukrainën, duke paralajmëruar se qëndrimi i tij rrezikon të minojë unitetin dhe besueshmërinë e bllokut, transmeton Anadolu.
MARKETING
Duke folur për mediat lokale pas samitit të BE-së në Bruksel, disa liderë e akuzuan kryeministrin Orban për pengimin e një vendimi që konsiderohet thelbësor për mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj të vazhdueshme me Rusinë.
Kryeministri belg, Bart De Wever, tha se bllokimi i një mase kaq të rëndësishme është i barasvlershëm me veprim kundër vetë BE-së.
“Nëse një shtet anëtar i shpall luftë BE-së duke bllokuar një vendim kyç për stabilitetin gjeopolitik të Evropës, kjo është rruga më e shkurtër drejt daljes”, tha De Wever, duke shprehur megjithatë optimizëm se mund të arrihet një zgjidhje pas zgjedhjeve parlamentare në Hungari më 12 prill.
Ndërkaq, presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi se ngërçi mund të dëmtojë besueshmërinë e BE-së dhe të dobësojë më tej Ukrainën në një moment kritik.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, nga ana e tij, e cilësoi qëndrimin e Hungarisë si “një akt flagrant mosbesnikërie brenda BE-së”, duke paralajmëruar se mosmarrëveshja mund të lërë “plagë të thella” brenda bllokut evropian.
Gjithashtu edhe kryeministri polak, Donald Tusk, kritikoi kryeministrin hungarez, duke e akuzuar se po përdor “truke procedurale dhe formale” për të bllokuar ndihmën për shkak të konsideratave të brendshme politike.
“Nuk arritëm ta bindim kryeministrin Orban dhe ai vazhdon të jetë i vendosur të bllokojë ndihmën për Ukrainën duke përdorur disa truke procedurale dhe formale, gjë që është shumë e keqe si për Poloninë ashtu edhe për Evropën. Ndihma për Ukrainën është, para së gjithash, një mundësi për të ndalur Rusinë dhe agresionin e saj”, tha Tusk.
Ai shtoi se megjithëse vendet e tjera anëtare të BE-së po shqyrtojnë mënyra alternative për të ndihmuar Ukrainën, aktualisht nuk ka një “Plan B” të qartë.
Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja do të sigurojë që Ukraina të marrë fondet “në një mënyrë apo në një tjetër”, ndërsa burime diplomatike treguan se afati kohor për ndihmën mund të shtyhet nga prilli në maj pas mbështetjes nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Kredia prej 90 miliardë eurosh e BE-së për Ukrainën, e miratuar në dhjetor 2025 për periudhën 2026-2027, mbetet e bllokuar nga Hungaria, e cila kërkon që Ukraina të rikthejë tranzitin e naftës ruse përmes gazsjellësit Druzhba para se të heq veton.
Orban fillimisht e miratoi paketën financiare në dhjetor, por që nga shkurti ka bllokuar disbursimin e saj.
Hungaria ka akuzuar Ukrainën për ndërprerje të qëllimshme të furnizimit me naftë nga Rusia përmes gazsjellësit Druzhba, ndërsa Kievi argumenton se tranziti u ndal për shkak të dëmeve të shkaktuara nga një sulm rus dhe ka refuzuar kërkesat për inspektime.

