LD ka reaguar në lidhje me Deponinë Drislla

Nga Lëvizja Demokratike kanë reaguar në lidhje me Deponinë Drislla. Nga ky subjek politik thonë se Drislla tashmë 30 vite funksionon pa përmbushur kriteret e duhura ekologjike, ndërsa alarmojnë se kjo deponi shkakton probleme të shumta shëndetësore edhe për qytetarët.
MARKETING
“Këtu kemi ndotje permanente të tokës, ujit dhe ajrit , fakte këto që janë vërtetuar edhe nga Inspektorati shtetërorë i mjedisit jetësorë. Kjo gjendje vazhdimisht rrezikon dhe dëmton rëndë shëndetin e mbi 50.000 banorëve të f. Batincë (që gjendet në afërsi prej 500 metrave) dhe vendbanimeve tjera në rajonin e Karshiakës, lagjes Draçevë e më gjerë. Njëkohësisht emetimi i gazrave helmues (CO, SO2 etj.) që dalin nga djegia e mbeturinave medicinale sigurisht ndikon edhe në nivelin e lartë të ndotjes së ajrit jo vetëm në Batincë por edhe më gjerë në Qytetin e Shkupit me rrethinë. Për pasojë në këto vendbanime kemi rritje të incidencës së sëmundjeve kancerogjene dhe sëmundjeve kronike respiratore, në shumicën e rasteve me pasoja fatale për jetën e banorëve lokal. Përfundimisht banorët lokal të Batincës- Komunës së Studeniçanit, në vend se të shijojnë benefitet që u janë premtuar në fillim të viteve të 90-ta kur është instaluar Deponia Drislla, përkundrazi pëlqimin që e dhanë për deponinë atëherë e paguajnë me shëndet e me jetë sot. Mos të harrojmë se resori i mjedisit jetësorë (ministria e Ekologjisë) nga viti 2008 e këndej (deri sivjet 2023) është udhëhequr nga kuadro të partisë në pushtet (pra BDI-së), të cilët, përkundër faktit se kanë pasur obligim kushtetues, ligjor e moral, nuk kanë bërë asgjë për ta parandaluar këtë katastrofë ekologjike”, thotë Rexhep Memedi nga Lëvizja Demokratike.