Lavrov: Presidentit të Ukrainës i mungon “vullneti për paqe”

Lavrov: Presidentit të Ukrainës i mungon “vullneti për paqe”

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka deklaruar se presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i mungon “vullneti për paqe”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, shefi i diplomacisë ruse theksoi se autoritetet ukrainase flasin vetëm për luftë dhe përdorin retorikë agresive.

“Çdo armëpushim është jashtë diskutimit (për autoritetet ukrainase). Ndalimi i negociatave me udhëheqjen ruse, i vendosur nga Zelenskyy më 30 shtator 2022, vazhdon të jetë në fuqi. Nxirrni konkluzionet tuaja”, tha Lavrov.

Më tej, Lavrov pranoi se ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme e zhvendosën fokusin nga Ukraina, megjithatë “shkaktimi i një disfate strategjike ndaj Rusisë” vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të Perëndimit.

“I ashtuquajturi format ‘Ramstein’ vazhdon të funksionojë, në të cilin përfaqësues të më shumë se 50 vendeve diskutojnë kërkesat e Kievit për pajisje ushtarake dhe municione në baza mujore”, tha Lavrov, duke iu referuar takimeve në bazën ajrore amerikane në Gjermani.

“As Washingtoni dhe as Brukseli nuk refuzojnë t’i ofrojnë ndihmë regjimit të Kievit, duke lënë të kuptohet se pa të, ai ka për të mbaruar keq. Ata janë ende të interesuar të mbajnë prapa Rusinë me duart dhe trupat e ukrainasve”, shtoi ai.

Perëndimi ka ofruar mbështetje të paprecedentë humanitare, ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, ku Rusia nisi “operacionin special ushtarak” në muajin shkurt. Megjithatë, thuhet se mbështetja po pakësohet mes mosmarrëveshjeve të brendshme politike dhe sfidave fiskale.

Duke iu referuar çështjes së kontrollit të armëve, Lavrov fajësoi SHBA-në për shkatërrimin e shtyllave të kontrollit të armëve. Ai theksoi se SHBA-ja ose ka shkelur drejtpërdrejtë marrëveshjet duke u tërhequr prej tyre ose ka krijuar kushte që e bëjnë të pamundur zbatimin e tyre.

“Logjika e Washingtonit është e thjeshtë. Shtyllat që siguruan dominimin e SHBA-së po u rrëshqasin nga poshtë këmbëve. Kryesisht për shkak të gabimeve të vetë amerikanëve… në përpjekje për të ngadalësuar humbjen e pozitës së hegjemonit, ata u mbështetën në forcë”, tha Lavrov.

– Rusia e shqetësuar për kthesën e Armenisë drejt NATO-s

Më tej, Lavrov shprehu keqardhje për kthesën e Armenisë drejt Perëndimit, duke theksuar se Jerevani po “tregton një aleancë të testuar nga koha me Moskën për premtimet e paqarta të Perëndimit”.

“Për të justifikuar rrjedhën e një kthese strategjike, ata (autoritetet armene) fajësojnë Rusinë për të gjitha problemet e republikës, përfshirë për humbjen e Karabakut”, theksoi ai.

Azerbajxhani vendosi kontroll të plotë mbi rajonin e Karabakut pas nisjes së një operacioni antiterrorist këtë shtator.

Sipas ministrit Lavrov, autoritetet ruse këmbëngulin në konsiderimin e Armenisë si një partner strategjik, të palëkundur në besimin e tyre dhe se me vullnet politik çdo sfidë mund të kapërcehet.

“Lidhjet tregtare dhe ekonomike, si dhe dialogu i industrisë po zhvillohet me një ritëm mbresëlënës midis Moskës dhe Jerevanit. Ky është themeli për marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe mbështetja më e rëndësishme për stabilitetin e ekonomisë armene dhe mirëqenien e popullsisë armene. Rritja e shpejtë e PBB-së së republikës në vitet e fundit është kryesisht për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe anëtarësimin e Jerevanit në Unionin Ekonomik Euroaziatik”, tha Lavrov.

Sipas tij, rruga optimale për Armeninë për të lundruar në sfidat aktuale qëndron në zbatimin e marrëveshjeve trepalëshe me Azerbajxhanin dhe Rusinë.

Ai kritikoi bisedimet që vendosin në dyshim domosdoshmërinë e pranisë së bazës ushtarake ruse në qytetin armen Gyumry, duke theksuar se për shumë vite ushtria ruse ka siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ministri rus shprehu gjithashtu shqetësim lidhur me rritjen e bashkëpunimit ushtarak të Jerevanit me NATO-n.

“Këtë vit, Armenia ka marrë pjesë në disa dhjetëra ngjarje me aleancën. Ajo vazhdon të modernizojë forcat e saj të armatosura sipas standardeve të NATO-s dhe ushtria e republikës po trajnohet në një numër shtetesh të bllokut të Atlantikut të Veriut”, tha ai.

Lavrov paralajmëroi se “qëllimi i vërtetë i NATO-s është të forcojë pozitat e tyre në rajon, të krijojë kushte për manipulim sipas skemës përça dhe sundo”.

“Shpresoj se Jerevani është i vetëdijshëm se thellimi i bashkëpunimit me aleancën çon në humbjen e sovranitetit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare”, tha ai.

MARKETING