Lajçak: Vazhdon përpjekja jonë për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se udhëtimi i tij në Ballkan e ka ndihmuar atë më shumë për të kuptuar situatën që është në veri të Kosovës.
Lajçak ka thënë se vazhdojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.
“Vazhdon përpjekja jonë për të kthyer në rrugën e normalizimit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan ai në postimin e bërë në Facebook.
Tutje, ai ka dhënë detaje rreth takimeve që ka pasur në Kosovë dhe Serbi.
“Në fillim të kësaj jave, udhëtova në Kosovë dhe Serbi, në kuadër të përpjekjeve të BE-së për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Fokusi kryesor ishin takimet e mia me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, si dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi për të shqyrtuar opsionet për rrugën përpara në përputhje me kërkesat e BE-së për deeskalim, zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrja e serbëve të Kosovës dhe kthimi në dialog”.
“Në Kosovë takova edhe shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, gjeneralmajor Barbano dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia. Ne diskutuam situatën e sigurisë në Kosovë, nevojën urgjente që të gjitha palët të ndërmarrin hapa konkretë për de-përshkallëzimin dhe kemi shqyrtuar opsionet për kontributin e organizatave tona”, ka shkruar ai tutje.
Lajçak në margjinat e Forumit të Dubrovnikut është takuar edhe me presidentin kroat, Andrej Plenkoviq.
Ai ka thënë se më të ka biseduar për situatën në rajon dhe për dialogun Kosovë-Serbi, derisa është shprehur mirënjohës ndaj Kroacisë për mbështetjen në këtë proces.
“Pata një takim të dobishëm dhe në kohë me presidentin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, sot në Dubrovnik. Ne folëm për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe dialogun e lehtësuar nga BE. Mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë në përpjekjet tona për të gjetur një rrugë përpara dhe për t’u kthyer në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut”, ka shkruar Lajçak në Twitter.