Ky është 18-vjeçari që u arrestua si i dyshuar për vrasjen e rreshterit Lika, pjesë e një grupi ekstremist

Pas një aksioni të gjerë të zhvilluar nga Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit në Kaçanik, më shumë se pesë persona janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
18-vjeçari, Rejhan Bela dyshohet se është pjesë e grupit kriminal, të cilët organizuan vrasjen e rreshterit Lika.
Ndërsa rastin e operacionit për Gazetën10 e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik”, ka thënë Kelani.
Kelani ka thënë se pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë.
Për të dhënë detaje, Prokuroria Themelore ka thirrur konferencë me fillim nga ora 11:30.
“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini dhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.