Kuvajt ndalon shfaqjen e filmave “Barbie” dhe “Talk to Me”
Autoritetet kompetente të Kuvajtit kanë ndaluar shfaqjen e filmave “Barbie” dhe “Talk to Me”, të cilët konsiderohen si joadekuat nga aspekti i moralit publik dhe zakoneve shoqërore në vendin e Gjirit, raporton Anadolu.
Agjencia e lajmeve KUNA raporton se Lafi es-Sabii nga Ministria e Informacionit tha se filmat “Barbie” dhe “Talk to Me” nuk do të shfaqen në Kuvajt.
Sabii ka theksuar se një vendim i tillë është marrë me qëllim të mbrojtjes së moralit publik dhe traditës shoqërore.
“Bordi i Censurës së Filmit kërkon që skenat shqetësuese të fshihen përpara se të lejohet shfaqja e filmit. Kur filmi përmban një mesazh që nuk është në përputhje me vlerat e shoqërisë, ndalohet shfaqja e tij. Kjo vlen për çdo film që ka përmbajtje që nuk është në përputhje me vlerat dhe traditat e popullit tonë”, tha Sabii.
Po ashtu edhe autoritetet e Libanit më herët kanë deklaruar se filmi “Barbie” nuk do të shfaqet në këtë vend me arsyetimin se shkel vlerat morale dhe fetare, si dhe promovon homoseksualitetin.