Kusari-Lila: Mospjesëmarrja në votim të kreut të kuvendit, përbën shkelje

Deputetja e Alternativës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas zhvillimeve në seancën e djeshme konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku u dështua dy herë zgjedhja e kryetares së Kuvendit.
Duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr. KO119/14, Kusari-Lila theksoi se deputetët nuk mund të lirohen nga detyrimi për të marrë pjesë në votim gjatë konstituimit të Kuvendit.
Sipas saj, mosvotimi përbën shkelje të këtij aktgjykimi dhe nuk duhet të përsëritet në seancat e ardhshme.
“Mosvotimi sipas këtij aktgjykimi konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”, tha Kusari-Lila.
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të zgjedhë deputeten Albulena Haxhiu në postin e kryetares së Kuvendit, pasi ajo mori vetëm 57 vota në të dy raundet e votimit.
Ndërkohë, 20 deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan.