Kurti: Zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë nuk nënkupton sulm ndaj mediave
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë të shtunën se zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë për përftime financiare, nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se liria e mediave është jetike dhe sulmi ndaj tyre përbën sulm ndaj demokracisë.
Reagimi i tij ka ardhur një ditë pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit lokal në Kosovë Klan Kosova.
“Kosova i ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti kryesor i të cilave është media, dhe 114 kompani të licencuara audio-vizuele. Zbatimi i rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, ‘jo teknikalitet’. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk e kërcënon pluralizmin medial”.
Kurti ka thënë se në vendet demokratike, institucionet e autorizuara për t’i trajtuar këto raste nuk janë pjesë e Zyrës së Kryeministrit, por që ato e kanë përkrahjen e plotë të ekzekutivit.
Rasti me Klan Kosovën
Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë (MINT) ka ngritur kallëzim penal ndaj mediumit Klan Kosova.
Kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, e ka anuluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, por më 21 qershor, ajo e shfuqizuar vendimin e marrë.
Më pas, një ditë më vonë, ARBK-ja e ka anuluar edhe vendimin e 21 qershorit.
Klan Kosova ka thënë pas vendimit të 28 korrikut se, “në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë një qasje të tillë autoritare” nga institucionet e shtetit dhe se çështjen do ta dërgojë në gjykatë.
“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për këtë rast, duke kërkuar që çështja e licencës së televizionit të bëhet “duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.
Të shqetësuara për këtë rast janë shprehur vendet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.
“Ne jemi, në veçanti, të shqetësuar me heqjen e licencës së biznesit të Klan Kosovës me një vendim joproporcional, i cili do të ketë pasoja në pluralitetin e medias në Kosovë”.
Në komunikatën e përbashkët, ambasadorët e këtyre vendeve kanë thënë se presin proces ligjor “të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e kësaj çështje”.
Klan Kosova, televizion privat me seli në Prishtinë, e ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.
Lidhur me vendimin ndaj tij kanë reaguar asociacione të gazetarëve në Kosovë dhe jashtë shtetit.