Kurti uron qytetarët: Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për hapjen e urës së re mbi lumin Ibër.
Kurti ka pohuar se më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër, transmeton Telegrafi.
“Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, ka pohuar ai.
Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ndërkaq, sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.
Përfundimi i ndërtimit të urave ishte planifikuar të bëhej në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.
Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.