Kurti: Sulmet ndaj gazetarëve të dënohen nga ata që janë të zëshëm rreth situatës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se palët që në anën e kundërt janë të zëshme për situatën në veri duhet të reagojnë dhe të dënojnë sulmet ndaj gazetarëve.
Përmes një reagimi në Twitter, kreu i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë të papranueshme.
Ai gjithashtu ka publikuar një video, ku shihet kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, duke u sulmuar nga bandat kriminale në Leposaviq.
“Një tjetër gazetar është sulmuar brutalisht teksa mbulonte zhvillimet në veri të Kosovës sot nga persona të maskuar. Sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që në anën e kundërt janë të zëshme për situatën”, shkruan Kurti.
Ndryshe, policia ka konfirmuar të premten se nëntë gazetarë të mediave të Kosovës janë sulmuar gjatë ditës në Leposaviq, të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke raportuar për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.
Sipas policisë, disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor/Telegrafi/