Kurti: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë

Kurti: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia po ndërhyn në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen më 12 tetor në Republikën e Kosovës, raporton Anadolu.

Kurti në fjalën hyrëse të mbledhjes së kabinetit qeveritar, tha se deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe veprimet e vazhdueshme të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë të Serbisë nuk kanë se si të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Republikën e Kosovës.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tani këshilltar i presidentit atje, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë, Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, tha Kurti.

Ai tha se edhe Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës. Kurti tha se ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti dhe sipas Kurtit, me gjithë këto, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga BE-ja, gjë që po e bën atë të mos ndryshojë sjellje.

“Kjo ndërhyrje që e bën Serbia tani, në zgjedhjet në Kosovë, është edhe më e rëndë se sa ajo e Rusisë në Evropë. I bëjmë thirrje BE-së që ta dënojnë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojnë Serbinë, shtet ky kandidat për anëtarësim në BE, për veprimet të cilat bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe shkelin Marrëveshjen Bazë të Brukselit”, shtoi Kurti.

Presidenti serb Vuçiq, një javë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, u premtoi serbëve që jetojnë në Kosovë se në 10 ditët e ardhshme do t’i hapin 400 vende pune në sektorin e shëndetësisë, në territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë premtim reagoi edhe ministri në detyrë i pushtetit lokal, Nenad Rashiq, i cili vjen nga komuniteti serb në Kosovë. Rashiq tha se në çdo palë zgjedhje regjimi në Beograd premton qindra vende pune, e më pas konkurset përmbyllen me dhjetëra punësime të njerëzve që kanë lidhje me Listën Serbe.

MARKETING