Kurti reagon pas heqjes së masave nga BE-ja: Kanë qenë të padrejta që në fillim
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian (BE) për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet rrjetit social amerikan X, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka theksuar vazhdimisht që këto masa kanë qenë të padrejta.
Kurti tha se qeveria e tij ka theksuar vazhdimisht se këto masa kanë qenë të padrejta që në fillim, duke shtuar se Kosova u sanksionua pas sulmeve që kishin në shënjestër edhe infrastrukturën kritike të vendit, duke i quajtur ato “të orkestruara nga Serbia”.
Më tej, Kurti tha se gjatë gjithë periudhës sa Kosova ishte nën masa të BE-së, ajo ka mbetur plotësisht e përkushtuar ndaj BE-së, përmbushjes së kritereve për anëtarësim dhe vazhdimit të rolit si aleatë të përkushtuar dhe promotorë të vlerave demokratike.
BE-ja i vendosi masa sanksionuese Kosovës në vitin 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t’i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën për disa javë.

