Kurti priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş

Kurti priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, Özkan Ulutaş, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate për media, ky ishte takimi i pestë zyrtar gjatë këtij viti midis kryeministrit Kurti dhe komandantit të KFOR-it, Ulutaş.

Duke e falënderuar komandantin e KFOR-it Ulutaş për kontributin e shërbimin e tij në fushën e sigurisë, kryeministri Kurti, sipas komunikatës, ka shprehur vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e ngushtë, komunikimin, koordinimin dhe bisedat përherë të sinqerta e në frymën e sinergjisë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Në takim u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona të sigurisë e veçanërisht Policisë së Kosovës me Misionin e NATO-s në Kosovë KFOR-in”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti nënvizoi edhe rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ofrimit të një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.

Ceremonia e ndërrimit të komandantit të KFOR-it, do të mbahet këtë të premte, në selinë kryesore të KFOR-it, në Prishtinë.

MARKETING