Kurti për shpërthimin pranë Ujmanit: Serbisë s’i leverdis normaliteti në veri

Kurti për shpërthimin pranë Ujmanit: Serbisë s’i leverdis normaliteti në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpërthimit pranë Liqenit të Ujmanit në veri, duke thënë se institucionet e sigurisë do t’i dërgojnë para drejtësisë të përfshirët në këtë sulm kriminal.

Ai ka deklaruar në Facebook se Serbia dhe qarqet e caktuara mike e të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në veri të vendit.

“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit, rruga e vetme është sundimi i ligjit dhe rendi publik.
Ai ka shtuar se edhe kjo pjesë “me potencialin dhe bukuritë e saj, do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, u shpreh Kurti.

MARKETING