Kurti për familjarët e viktimave në Srebrenicë: Pikëllimi nuk i ka thyer

Kurti për familjarët e viktimave në Srebrenicë: Pikëllimi nuk i ka thyer

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili qëndroi në Bosnjë dhe Hercegovinë me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, tha për familjarët e viktimave atje se “pikëllimi nuk i ka thyer dhe as dhimbja nuk i ka ligështuar, ndonëse vuajtja e familjarëve vazhdon”, transmeton Anadolu.

Kurti nëpërmjet rrjeteve sociale njoftoi se në Srebrenicë ka qëndruar me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, “për të shprehur nderimin, ngushëllimin dhe solidaritetin në 30-vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

“8.372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht nga forcat ushtarake të komanduara nga krimineli i luftës Ratko Mlladiq. Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë ishte Beogradi zyrtar ai që dërgoi rreth 4 mijë oficerë ushtrie, armatime të shumta e municione pa fund, për shfarosjen e popullsisë vendëse boshnjake”, shkroi Kurti.

Tutje, kryeministri në detyrë i Kosovës tha se në ekzekutimet në masakrën e Srebrenicës mori pjesë edhe njësiti famëkeq “Shkorpionët”, të cilët pas Bosnjës do të vinin në Kosovë për të kryer krimet e njëjta, në mesin e të cilave edhe pushkatimin mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28 mars 1999.

Kurti kujtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2021 ka miratuar një rezolutë që dënon ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë dhe u bën thirrje të gjitha shteteve për përpjekje shtesë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin e kryerjen e gjenocidit.

Po ashtu, qeveria e udhëhequr nga ai, para një viti mori vendim për ta shpallur 11 korrikun Ditë Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

“Paqja dhe pajtimi në Ballkanin perëndimor, pa drejtësi që ndëshkon kriminelët dhe rehabiliton viktimat, ngelen veçse armëpushim e mashtrim”, përfundoi reagimin e tij Kurti.

MARKETING