Kurti paralajmëron zhvillimin e dronëve ushtarakë: Për ushtrinë do të ndahen mbi 1 miliard euro

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se do të ndahen mbi 1 miliard euro për ushtrinë brenda mandatit të ardhshëm dhe paralajmëroi zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova”, raporton Anadolu.
Kurti i cili u rizgjodh si i propozuar i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të qeverisë me vota unanime, tha se mandatin e ardhshëm qeverisës të tij do të funksionalizohet Fabrika e Municioneve dhe do të zhvillohet industria ushtarake e Kosovës.
“Fuqizimi i ushtrisë do të realizohet përmes blerjes së armatimeve, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit, në bashkëpunim me Shqipërinë dhe në akademitë më të shquara ushtarake në vendet partnere”, theksoi Kurti, i cili shtoi se gjithashtu do të krijohet Njësia ushtarake e përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Kurti tha se synohet thellim dhe zgjerim i bashkëpunimit ndërkombëtar bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s.
Gjithashtu, kryeministri në detyrë Kurti tha se synojnë që brenda mandatit të ri të ketë 1.000 gra e vajza ushtarake.
Kurti foli edhe për procesin e Kosovës në integrimin në Bashkimin Evropian, ku me këtë rast tha se synimi është që deri në 2030 Kosova t’i ketë përmbyllur me sukses gjithë kapitujt nga procesi i integrimit drejt anëtarësimit në BE.