Kurti: Ofrova dy opsione kompromisi, opozita s’u tregua e gatshme për marrëveshje

Kurti: Ofrova dy opsione kompromisi, opozita s’u tregua e gatshme për marrëveshje

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se LVV ka lëvizur nga situata para të enjtes. “Unë kam ofruar dy opsione kompromisi”.

MARKETING

Kurti në fillim të konferencës ka falënderuar përfaqësuesit e partive politike që iu përgjigjën ftesës së tij për takim, në përpjekje për zhbllokimin e situatës politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë, por nënvizoi se formimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha partive politike të përfaqësuara në parlament.

“Gjykata Kushtetuese ka theksuar se nuk është ajo që zgjidh mosmarrëveshjet politike mes grupeve parlamentare. Ajo ka kërkuar konsensus, kompromis dhe bashkëpunim në mirëbesim – dhe ne i kemi bërë të gjitha”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit ka ofruar dy opsione kompromisi për të zgjidhur krizën institucionale, por që sipas tij nuk kanë hasur në gatishmëri nga opozita.

“Kompromisi i parë: nëse kandidatja jonë Albulena Haxhiu nuk i merr 61 votat me votim të fshehtë, do të tërhiqet nga gara. Kjo është një tërheqje nga ana jonë. Por, kjo nuk u bëri përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë: të bëjmë një marrëveshje në paketë për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë theksoi se është i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm dhe ftoi partitë që të veprojnë me përgjegjësi në funksion të interesit të qytetarëve dhe zbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses.

MARKETING