Kurti: Nëse nuk zgjidhet presidenti, Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje

Kurti: Nëse nuk zgjidhet presidenti, Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje gjysmës së parë të vitit 2026 nëse Legjislatura e Dhjetë e Kuvendit të Kosovës nuk arrinë ta emërojë presidentin e ri, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Kosovapress”, Kurti tha se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri.

Këto deklarata ai i bëri vetëm pak ditë pasi Kosova mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, pas disa muajsh bllokade për formimin e institucioneve të reja që nga zgjedhjet e 17 shkurtit 2025.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten”, tha Kurti.

Paraprakisht, Kurti tha se fillimisht duhet konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe miratimi i buxhetit dhe pastaj të mendohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Tre muaj para se t’i skadojë mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti është më i matur nëse e përkrahin Osmanin edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar. Sipas tij, një test dhe indikacion se si mund të ecet përpara edhe në çështjen e presidentit është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojitet mbështetje edhe e deputetëve të opozitës.

Kurti, i cili është edhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit.

Sipas tij, sigurimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit është një vështirësi e konsiderueshme.

Duke folur për mundësitë që partitë e opozitës dhe veçanërisht Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të qëndrojnë në sallën plenare kur votohet presidenti, Kurti tha se nuk e di se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë e opozitës në javët dhe muajt në vijim.

Duke folur për formimin e qeverisë së re, Kurti tha se ajo do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja.

MARKETING