Kurti: LDK e NISMA nuk pranuan koalicion me LVV-në, ne zgjedhim zgjedhjet

Kurti: LDK e NISMA nuk pranuan koalicion me LVV-në, ne zgjedhim zgjedhjet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se asnjë nga partitë parlamentare të cilat janë ftuar nga LVV-ja nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje për bashkëqeverisje, pavarësisht se rezultati i zgjedhjeve kishte përcaktuar nevojën për koalicion.

“Asnjëra nga partitë që i ftuam nuk pranoi të bëjë marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse votat kishin përcaktuar që duhej koalicion. Dy herë ftuam LDK-në dhe ishim në kontakt me Nismën. LDK refuzoi kategorikisht që qeverinë ta udhëheq unë, as Nisma,” tha Kurti.

Sipas tij, po të pranonin ofertën e Vetëvendosjes, këto parti do të mundësonin formimin e një qeverie të re dhe zgjedhjen e presidentit pas katër muajsh.

“Duke parë disponimin e elektorateve të VV-së dhe LDK-së, që duan ta shkëpusin LDK-në nga PDK-ja, më 2021 ia arritëm, por vetëm për 51 ditë. E vetmja mënyrë se si LDK pranoi të jetë në qeveri me ne, ishte vetëm me PDK-në. Kjo është e papranueshme,” shtoi ai.

Kurti theksoi se qëllimi i Vetëvendosjes nuk është mbajtja e pushtetit, por zhvillimi i shtetit.

“Ne jemi të interesuar për të zhvilluar shtetin, dhe jo ta mbajmë pushtetin. Kjo është arsyeja pse vendi nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë, por jemi përpjekur që obligimet tona t’i kryejmë me kohë,” përfundoi ai.

Ai shtoi se gjatë periudhës sa Qeveria do të jetë në detyrë, ekzekutivi do të vazhdojë të kryejë punët me përpikmëri dhe përgjegjësi./Telegrafi/

MARKETING