Kurti: Konjufca do të jetë ministër në Qeverinë Kurti 3

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, sërish ka kërkuar partitë e tjera që të votojnë Albulena Haxhiun, ndërsa për kryeparlamentarin e deritashëm, Glauk Konjufcën, ka thënë se do ta bëjë ministër.
MARKETING
Kryeministri në detyrë, Kurti tha se ish-kryetari i Kuvendit, Konjufca “po kthehet në ekzekutiv e Haxhiu në legjislativ”.
“Ne kemi marr vendim ta propozojmë ministren e Drejtësisë, gruan më të votuar, Albulena Haxhiun për kryetare të kuvendit, ndërkaq Glauk Konjufca jemi marr vesh që do të bëhet anëtar i qeverisë në ‘Kurti 3’. Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ”, tha Kurti në RTK.
Kurti e ka pranuar se për ta bërë qeverinë e re duhet të bëjë kompromise e koncesione.
“Kur formohet qeveria do të na duhet të bëjmë koncesione e kompromise, dhe këtu natyrisht që ne do t’i bënim sërish bisedat me të tjerët e natyrisht para së gjithash me pakicat që tashmë i kemi si vota për Albulena Haxhiun dhe me të cilët kemi bashkëqeverisur deri më tani dhe me Nismën me të cilën kemi pasur takime. Ndërkaq sa i përket konstituimin e Kuvendit, unë them që ta ruajmë shëndetin e demokracisë në Kosovë, të mos ia imponojmë propozimet njëri –tjetrit, sepse nëse partitë opozitare përzgjedhin brenda Vetëvendosjes e LVV-ja të përzgjedhë brenda partive opozitare, atëherë ne do të përfundojmë që një kryesi ku partitë që i kanë të deleguarit e vetë janë jo mjaftueshëm të kënaqur me ta ose me to. Le të mos ta bëjmë këtë lojë negative. Ne duhet ta respektojmë propozimin e njëri–tjetrit dhe ta kemi një kryesi meritore të Kuvendit”, tha Kurti për transmetuesin publik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur besimin se deputetët e opozitës së deri tashme anë në trysni nga shefat e partive, prandaj sipas tij votimi i fshehtë do t’u jepte mundësi atyre që të votonin të lirë dhe ta shprehnin vullnetin e tyre.
“Ne besojmë që deputetët opozitarë janë në një trysni të madhe nga shefat e partive që ta ruajnë homogjenitetin e tyre dhe pikërisht në një situatë të tillë ata do ta kishin lirinë e tyre që në një votim të fshehtë ta shprehin vullnetin e tyre, sepse ka shumë deputetë opozitarë që ndoshta do të ishin kundër formimit të qeverisë ku unë do të isha kryeministër, mirëpo konstituimi i kuvendit është absurd të kundërshtohet, meqë Kuvendi i Kosovës është mishërim i pluralizmit politik si shtyllë e demokracisë”, tha ai.