Kurti: Kërkesa për transferimin e të arrestuarve nga Serbia, në frymën e Marrëveshjes Bazike

Kurti: Kërkesa për transferimin e të arrestuarve nga Serbia, në frymën e Marrëveshjes Bazike

Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Kryeministri Albin Kurti e ka mbështetur kërkesën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për transferimin e tyre në Kosovë.

Kurti përmes një postimi në platformën Facebook, ka thënë se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Tutje tha se institucionet e drejtësisë do të bëjnë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj.

“Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sipas Marrëveshjes Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shpallur ligjërisht të obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ministrja jonë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar ministres së Drejtësisë së Serbisë për transferimin në Republikën e Kosovës të katër të burgosurve shqiptarë në Serbi”, u shpreh Kurti.

“Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, gjenden në burgjet e Serbisë mbi pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Republika e Kosovës ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Si shtet demokratik që mbron dhe siguron të drejtat e njeriut përtej standardeve evropiane, republika jonë do sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj”, ka shkruar Kurti.

Në Strategjinë Kombëtare të Serbisë për ndjekje të krimeve të luftës, 2021-2026, shteti serb pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Në të përmendet se Zyra e Prokurorit për Krime Lufte ka krijuar grupe të përpunuesve të të dhënave sipas parimit territorial, “pra duke ndjekur lidhjet e rasteve me vendin ku është kryer vepra penale – në Bosnje e Hercegovinë, në Republikën e Kroacisë, në Kosovë”.

Më herët, autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për akuzat për krime lufte. Ato e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Si u arrestuan katër shtetasit kosovarë në fjalë?

Nezir Mehmetaj u arrestua më 2020 në Merdare – njërën prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ndaj tij nuk është marrë ende ndonjë vendim, pavarësisht dhjetëra seancave të zhvilluara.

Vëllai i tij, Agron Mehmetaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka rrezikuar asnjëherë që ta vizitojë atë në Serbi, pasi nuk ka besim tek autoritetet atje.

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u ndalua, po ashtu, në Merdare, në janarin e vitit 2024.

Avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, pati thënë se ndalimi i Dakajt është kryer mbi baza politike dhe se ekzistojnë gabime faktike.

Sadik Duraku u ndalua më 17 prill të këtij viti, në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë. Atij i është vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

Vëllai i tij, Avdyl Duraku, ka thënë se akuzat ndaj Sadik Durakut janë të fabrikuara.

Tefik Mustafa është më i fundit në këtë listë. Ai u arrestua më 1 qershor në Merdare.

I biri i tij, Qamil Mustafa, ka thënë se akuzat ndaj babait të tij janë të pabaza.

Familjarët e të ndaluarve – përveç Dakajt – deklarojnë vazhdimisht se të paraburgosurit në Serbi nuk kanë qenë fare në Kosovë në kohën e luftës.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte./Telegrafi/

MARKETING