Kurti flet në New York për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik të Kosovës me SHBA-në

Kurti flet në New York për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik të Kosovës me SHBA-në

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka folur lidhur me arsyet e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik të Kosovës me SHBA-në, transmeton Anadolu.

Kurti mbajti një prezantim për studentët e “The New School” në New York, ndërsa pas fjalimit ai është pyetur ndër tjerash për arsyet e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik, ku tha se kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit në veri të Kosovës.

Kurti tha se nuk mund të heqë dorë prej sundimit të ligjit në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

“Është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti para të rinjve.

Kryeministri në detyrë ka theksuar se Kosova do të përfitojë nga projekti i Korporatës së Mijëvjeçarit për bateritë në fushën e ekonomisë dhe se në fushën e mbrojtjes ka pasur bashkëpunim të mirë në blerjen e armëve, porse fusha ku ka ngecur marrëdhënia me SHBA-në është diplomacia.

Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është në tri dimensione: në mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci dhe, sipas tij, vetëm në diplomaci “ka pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse, sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet ta paguajë çmimin e përpjekjes së SHBA-së për ta tërhequr Serbinë nga ndikimi rus.

Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë.

Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

MARKETING