Kurti flet me ministrin izraelit për mundësinë e hapjes së linjës ajrore Tel Aviv-Prishtinë

Kurti flet me ministrin izraelit për mundësinë e hapjes së linjës ajrore Tel Aviv-Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministrin për Turizëm të Izraelit, Haim Katz, që po shoqërohej nga Ambasadorja e Izraelit në Republikën e Kosovës, Tammy Ziv dhe ambasadori Peleg Lewi, njëherësh këshilltar i ministrit Katz.

Sipas njoftimit për media, thuhet se Kurti i uroi ministrit Katz mirëseardhje në Kosovë, ku po zhvillon një vizitë treditore, dhe e falënderoi për mbështetjen e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Diskutuan në lidhje me mënyrat e bashkëpunimit, sidomos në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave dhe mbi mundësinë dhe arsyeshmërinë e hapjes së një lidhje direkte ajrore sezonale Tel Aviv – Prishtinë, si dhe për format e lehtësimit të udhëtimit të qytetarëve në drejtim të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Gjatë bisedës, kryeministri foli gjithashtu edhe për punën e qeverisë dhe arritjet kryesore, por edhe për potencialin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, të cilat vendosën marrëdhënie diplomatike në shkurt të vitit 2021.

Ministri Kazt, u shpreh falënderues për takimin dhe për mikpritjen që e ka përjetuar gjatë gjithë qëndrimit të tij në Kosovë.

“Gjithashtu u shpreh i kënaqur me vendet dhe lokalitetet kulturore, arkeologjike e historike që Kosova ka, e të cilat do të mund të tërheqin vëmendjen e interesimin e vizitorëve nga Izraeli, dhe qe i gatshëm që të ndajë me Kosovën praktikat më të mira në turizëm. Ai tha se është optimist se në një të ardhme të afërt Kosova do të bëhet destinacion i vizitorëve izraelitë”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit. /Telegrafi/

MARKETING