Kurti dërgon emrin e Konjufcës te presidentja: Nuk e kemi obligim për të siguruar 61 nënshkrime

Kurti dërgon emrin e Konjufcës te presidentja: Nuk e kemi obligim për të siguruar 61 nënshkrime

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka obligim të sigurojë 61 nënshkrime për t’ia dorëzuar presidentes Vjosa Osmani për zgjedhjen e Qeverisë së re.

“Sot dërguam tek zonja presidente emrin e Glauk Konjufcës, nënkryetarit të parë të subjektit ku unë jam kryetar, që të bëjmë edhe një tentim për zgjedhje të Qeverisë që të mos ketë dy palë zgjedhje për pak muaj,” tha Kurti.

Ai shtoi se, për shkak se Qeveria aktuale nuk mund të votojë buxhet, Qeveria e re do të ketë mundësi të votojë buxhetin e vitit 2026.

“Nëse duhen 61 nënshkrime, nuk do të kishte kuptim afati 15 ditor për zgjedhjen e Qeverisë. Sa vota janë saktësisht, mund të merret vesh vetëm në seancën plenare,” shtoi Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur një konferencë për media në ora 19:00, pas takimeve me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku.

Ndërkohë, PDK, LDK, AAK dhe NISMA Socialdemokrate kanë kundërshtuar publikisht propozimin e LVV-së për Konjufcën si mandatar për kryeministër.

Vetëvendosje, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm më 4 nëntor 2025, ka mandatua Glauk Konjufcën për kryeministër.

 

MARKETING