Kurti: Deklaratat e Vuçiqit më 20 korrik janë kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme

Kurti: Deklaratat e Vuçiqit më 20 korrik janë kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për media, ka folur për çështjen e arrestimit të ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, nga autoritetet e Kosovës dhe reagimet e Serbisë për këtë arrestim, raporton Anadolu.

Kurti i konsideroi si kërcënuese deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, pas arrestimit në territorin e Kosovës të Popoviqit, duke thënë se Beogradi zyrtar nuk e mbështet paqen dhe drejtësinë, por urrejtjen dhe konfliktin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 20 korrik, pasi Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej 1 muaji, se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për këtë masë, duke shtuar se “kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.

Vuçiq shtoi se “Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”.

“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bëra më 20 korrik sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti, lëshon kërcënime publike, me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet si qëndrim individual, por si politikë shtetërore”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Popoviq po trajtohet aktualisht nga institucionet e drejtësisë në Kosovë me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 korrik i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviq, i dyshuar për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë, pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Pas këtij fjalimi në Rahovec, ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.

“Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), përmes deklarimeve të tilla, qartësisht të sinkronizuara, ata kanë për qëllim nxitjen dhe provokimin e tensioneve. Deklarata të tilla, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ato nuk duhen neglizhuar”, theksoi Kurti.

Kurti, në fund të kësaj çështjeje, i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE), NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj Vuçiqit, “i cili po bën fushatë për destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

MARKETING