KS-OKB-ja miraton rezolutë për të hequr presidentin dhe ministrin e brendshëm sirian nga lista e sanksioneve
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi sot një projektrezolutë për të hequr presidentin sirian Ahmed al-Sharaa dhe ministrin e Brendshëm Anas Khattab nga lista e sanksioneve për DEASH-in dhe Al-Kaidën, transmeton Anadolu.
Rezoluta, e hartuar nga Shtetet e Bashkuara, mori 14 vota pro, ndërsa Kina u përmbajt.
I dërguari amerikan në OKB, Mike Waltz, mirëpriti miratimin e rezolutës.
“Me miratimin e këtij teksti, Këshilli po dërgon një sinjal të fortë politik që njeh se Siria po hyn në një epokë të re”, tha ai. “Heqja e presidentit al-Sharaa dhe ministrit të Brendshëm Khattab nga lista e sanksioneve duhet t’i japë popullit sirian mundësinë më të madhe”, shtoi Waltz.
I dërguari i Kinës, Fu Cong, tha se rezoluta “dështoi të adresojë shqetësimet legjitime të të gjitha palëve”.
“Hartuesi nuk i mori plotësisht parasysh mendimet e të gjithë anëtarëve dhe e detyroi Këshillin të veprojë edhe pse kishte dallime të mëdha mes anëtarëve, në përpjekje për t’i shërbyer agjendës së vet politike”, tha Fu, duke iu referuar SHBA-së.
“Kina është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të luajtur një rol konstruktiv në arritjen e sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit në Siri sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
I dërguari rus në OKB, Vassily Nebenzia, theksoi se “rezoluta riafirmon angazhimin e Këshillit të Sigurimit ndaj sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Republikës Arabe të Sirisë”.
“Ne presim që këto parime themelore të respektohen nga të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Izraelin, i cili vazhdon të veprojë sipas rregullave të veta dhe të mbajë nën okupim pjesë të territorit sovran sirian, përfshirë Lartësirat e Golanit”, tha ai.
Bashar al-Asad, i cili udhëhoqi Sirinë për gati një çerek shekulli, u arratis në Rusi më 8 dhjetor 2024, duke shënuar fundin e sundimit shumëdekadësh të Partisë Baath, që kishte filluar në vitin 1963.
Al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit që rrëzuan Asadin, u shpall president për një periudhë tranzicioni në fund të janarit. Ai është zotuar të rindërtojë vendin dhe të rikthejë stabilitetin.
Pas rënies së regjimit të Asadit, Izraeli zgjeroi okupimin e tij në Lartësirat e Golanit, duke pushtuar zonën e çmilitarizuar të kufirit, një veprim që shkeli Marrëveshjen e Mosangazhimit të vitit 1974 me Sirinë.

