Kryqi i Kuq bën thirrje për “mbrojtje” të qytetit sudanez El-Fasher, ku civilët janë të bllokuar
						Zëdhënësi i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), Tommaso Della Longa, ka deklaruar se nuk ka lajme nga El-Fasher, i cili është nën rrethim nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat po përleshen me ushtrinë në Sudan dhe bëri thirrje për mbrojtje të civilëve, raporton Anadolu.
Longa foli për Anadolu në lidhje me situatën e fundit në Sudan dhe në El-Fasher, kryeqytetin e shtetit të Darfurit të Veriut në perëndim të vendit.
Duke vënë në dukje se konflikti midis ushtrisë dhe RSF-së në Sudan është një situatë e tmerrshme, ku nuk ka mbrojtje për civilët dhe punonjësit humanitarë, Longa tha se “Është shumë e vështirë edhe për ne të marrim informacion veçanërisht nga El-Fasher, nuk është as e lehtë të komunikojmë me ekipet tona. Megjithatë, ne e dimë se ka njerëz që ndonjëherë ecin me ditë të tëra për të arritur në kampin në Tavila. Por frika më e madhe është se disa civilë janë të bllokuar atje (në El-Fasher). Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë po ndodh”.
Longa deklaroi se situata në Kordofanin e Veriut është shumë e vështirë, duke vënë në dukje se pesë vullnetarë të Kryqit të Kuq u vranë në rajon më 27 tetor dhe dy të tjerë mbeten të zhdukur.
Pasi vuri në dukje se është shumë e vështirë të merren edhe detajet më të vogla rreth ngjarjeve në El-Fasher, Longa u shpreh: “Disa nga imazhet që qarkullojnë (në mediat sociale) janë vërtet shqetësuese për ne. Ato tregojnë diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Nuk duhet të harrojmë se civilët duhet të mbrohen dhe të respektohen në të gjitha rrethanat, pavarësisht nëse vendosin të qëndrojnë apo të largohen”.
Longa bëri të ditur se nevojat humanitare në Sudan janë të jashtëzakonshme, duke theksuar se njerëzit sudanezë jetojnë në një mjedis sfidues ku mungon qasja e sigurt humanitare, si dhe qasja në ushqim, ujë dhe kujdes shëndetësor bazë.
– “Sudani është qartë një krizë e harruar”
“Ngjarjet e orëve dhe ditëve të fundit (në El-Fasher) janë vetëm një simbol i drejtimit që po merr aktualisht konflikti i armatosur në Sudan”, tha Longa, i cili vuri në dukje se në konfliktet që vazhdojnë midis ushtrisë dhe RSF-së për gati tre vjet, nuk ka pasur respekt për njerëzit, nuk është garantuar aksesi dhe nuk janë mbrojtur punonjësit humanitarë.
Të gjithë në botë, për arsye të drejta po flasin për atë që po ndodh në El-Fasher, por kanë parë mjaft tmerre në Sudan gjatë dy viteve të fundit, tha Longa i cili bëri thirrje që Sudani të mos harrohet.
“Sudani është qartësisht një krizë e harruar. Publikojmë disa lajme për këtë çështje dhe komuniteti ndërkombëtar po flet gjithashtu. Por nuk duhet ta harrojmë Sudanin. Nuk duhet ta braktisim popullin sudanez. Duhet t’i ndalojmë vdekjet. Duhet të sigurohet akses në ndihmën humanitare dhe të garantojmë mbrojtje për punonjësit humanitarë për të mbrojtur civilët”, shtoi Longa.
– Konfliktet në Sudan dhe shkeljet nga forcat e RSF-së
Sudani që nga 15 prilli 2023 ka qenë skenë e konflikteve të dhunshme midis ushtrisë dhe RSF-së me mbështetje të huaj.
El-Fasher, qyteti më i madh në rajonin e Darfurit në perëndim të vendit, u vu kryesisht nën kontrollin e RSF-së pas luftimeve të ashpra.
Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga qyteti për shkak të luftimeve, ndërsa në videot e shpërndara nga anëtarët e RSF-së janë paraqitur momente ku RSF-ja zhvendos me forcë civilët dhe vret e torturon shumë njerëz të paarmatosur.

