Kryeparlamentari Gashi takon deputetin gjerman Kuban

Kryeparlamentari Gashi takon deputetin gjerman Kuban

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me deputetin e Bundestagut Gjerman, Tilman Kuban, i shoqëruar nga drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup, Daniell Braun.
Në takim u shpreh kënaqësia e veçantë për realizimin e vizitës, si dhe për interesin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Kryetari Gashi e theksoi rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në mbështetjen e qëllimeve tona strategjike – anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit evropian. Në këtë drejtim, u përshëndet emërimi i Manuel Saracin si i dërguar special për Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet konfirmim të mëtejshëm të angazhimit të Gjermanisë ndaj rajonit. U theksua rëndësia e Procesit të Berlinit, i iniciuar nga kancelarja Merkel, si dhe rezultatet pozitive që i sjell brenda kuadrit rajonal. Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për Rezolutën e Bundestagut të vitit 2023, e cila konfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe afirmon identitetin, kulturën dhe gjuhën maqedonase.
Deputeti Kuban, i cili është emëruar edhe zëdhënës për çështjet evropiane në Bundestag, i përcolli Kryetarit përshëndetjet e ngrohta nga ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Johan Vaderpull, me iniciativën e të cilit u realizua vizita, me qëllim që të demonstronte vullnetin e qartë të qeverisë aktuale gjermane për të çuar përpara procesin e zgjerimit. Theksoi se nevojitet vizion i ri për zgjerimin dhe për përshpejtimin e rrugës evropiane të vendit tonë. Në këtë kontekst, theksoi se është me rëndësi të veçantë të hapet Klasteri Fondamentet dhe të arrihet përparimi i vërtetë në fushat, të tilla si reforma e administratës publike, gjyqësori, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe se në aspektin e miratimit të legjislacionit të nevojshëm, është e rëndësishme të ketë proces paraprak të konsultimit të gjerë me faktorët relevantë shoqërorë.
Bashkëbiseduesit ranë dakord që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy parlamenteve do të vazhdojnë të avancohen në periudhën e ardhshme, si në nivel kryetarësh dhe deputetësh, ashtu edhe përmes shkëmbimit të suksesshëm të përvojave në nivel ekspertësh në kuadër të projektit për sigurim të pavarur parlamentar dhe fushave të tjera me interes të ndërsjellë. Një vlerësim iu dha punës së suksesshme të Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup dhe kontributit të tyre në proceset demokratike në dekadat e fundit.

MARKETING