Kryeministri tajlandez akuzon Kamboxhian për nisjen e konfliktit të fundit të armatosur

Kryeministri tajlandez akuzon Kamboxhian për nisjen e konfliktit të fundit të armatosur

Kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, akuzoi Kamboxhian për nisjen e konfliktit të fundit të armatosur duke përdorur “forcën ushtarake e para”, transmeton Anadolu.

Gjatë një fjalimi në ndërtesën e qeverisë, Phumtham deklaroi se shënjestrimi i spitaleve dhe zonave civile nga ana e Kamboxhias përbën “krim të rëndë lufte”, sipas gazetës “The Nation”.

Kryeministri tajlandez shtoi gjithashtu se ministri i jashtëm e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së mbi situatën dhe ka dërguar një letër në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mediat vendase raportuan se autoritetet kanë shpallur sot gjendje ushtarake në dy provinca kufitare, Chanthaburi dhe Trat.

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë evakuuar qytetarët e tyre nga rajonet kufitare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Tajlandës, numri i të vdekurve ka arritur në 15, përfshirë një ushtar, ndërsa Kamboxhia ka konfirmuar vdekjen e një murgu dhe ka bërë të ditur se pesë të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të forcave ajrore tajlandeze ditën e enjte.

Kamboxhia dhe Tajlanda i kanë ulur marrëdhëniet diplomatike në nivelin më të ulët të dekadave të fundit, pasi tensionet mes dy vendeve nisën të rriten më 28 maj, kur trupat e tyre shkëmbyen zjarr pranë kufirit, duke shkaktuar vdekjen e një ushtari kamboxhian.

Të dy fqinjët e Azisë Juglindore kanë një kufi të kontestuar që shtrihet përgjatë provincës kamboxhiane Preah Vihear dhe provincës verilindore Ubon Ratchathani në Tajlandë.

MARKETING