Sánchez bën thirrje ndërkombëtarëve të ndalojnë shitjen e armëve në Izrael
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i bëri sot thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë menjëherë shitjet e armëve në Izrael, duke dënuar njëkohësisht sulmet izraelite ndaj forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL).
Sanchez tha pas një takimi me Papa Françeskun në Vatikan se Spanja kishte ndaluar shitjen e armëve për Izraelin në tetor 2023 dhe i bëri thirrje pjesës tjetër të botës që të bëjë të njëjtën gjë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konflikteve në rajonin e Lindjes së Mesme, raportoi Reuters.
Në një sulm të forcave izraelite në një pikë vëzhgimi të përdorur nga UNIFIL, dy persona u plagosën sot, tha një burim i OKB-së dhe Ministria spanjolle e Mbrojtjes njoftoi sot se asnjë nga ushtarët spanjollë në mision në Liban nuk u plagos.
Forcat izraelite sulmuan gjithashtu UNIFIL të enjten, duke plagosur dy anëtarë të misionit indonezian dhe sulmi u dënua nga komuniteti ndërkombëtar. Spanja ka 650 ushtarë në UNIFIL.