Kryeministri slloven: Njohja e Palestinës, vendimi më i rëndësishëm dhe më fisnik i politikës së jashtme

Kryeministri slloven: Njohja e Palestinës, vendimi më i rëndësishëm dhe më fisnik i politikës së jashtme

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, në përvjetorin e parë të njohjes së Palestinës si shtet ka deklaruar se Asambleja Kombëtare Sllovene mori një nga vendimet më të rëndësishme të politikës së jashtme në historinë e vendit, transmeton Anadolu.

MARKETING

Golob bëri një deklaratë në faqen e internetit të qeverisë në përvjetorin e parë të njohjes së Palestinës nga Sllovenia si shtet i pavarur dhe sovran, ku theksoi se Sllovenia njeh të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje.

“Një vit më parë, Asambleja Kombëtare Sllovene mori një nga vendimet më të rëndësishme dhe fisnike të politikës së jashtme në historinë e vendit. Njohja e Palestinës si shtet i pavarur dhe sovran ishte një hap i fortë politik dhe simbolik. Palestina nga njëra anë, Izraeli nga ana tjetër, zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje për paqe dhe bashkëjetesë në Lindjen e Mesme, dhe ekzistenca e një shteti palestinez është një nga parakushtet themelore për këtë paqe”, tha Golob.

Golob deklaroi se është takuar me shumë udhëheqës vendesh mbi çështjen e Palestinës vitin e kaluar dhe se për shkak të përjetimeve në Gaza kishte zemërim dhe një dënim të hapur të politikave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilat bien ndesh me të gjitha parimet e komunitetit ndërkombëtare modern.

Duke theksuar se njohja e Palestinës i dha popullit palestinez shpresë për të jetuar në shtetin e tyre, Golob tha se “Palestinezët po vdesin, vuajnë, poshtërohen; ata po përpiqen për mbijetesë në mënyrë të uritur, të pashpresë dhe të sëmurë. Fundi i kësaj situate të tmerrshme nuk duket për shkak të politikave të pamëshirshme të qeverisë izraelite”.

Duke bërë një thirrje drejtuar administratave të vendeve të tjera, Golob u shpreh: “Thirrja ime drejtuar shteteve është kjo: Njihni menjëherë Palestinën, kontribuoni në një zgjidhje me dy shtete ku Izraeli dhe Palestina të jetojnë së bashku në paqe dhe siguri. Përveç kësaj, tani është e pashmangshme që institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian (BE) të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të ndërmarrin hapa konkretë kundër shkeljes së qartë të Nenit 2 të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike. Vendet e BE-së duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre ndaj veprimeve të qeverisë izraelite”.

Parlamenti slloven vendosi ta njohë Palestinën si shtet më 4 qershor 2024. Në deklaratën e tij para parlamentit, Golob deklaroi se ata vendosën ta njohin Palestinën si shtet të pavarur dhe sovran me kufijtë e saj të vitit 1967, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

MARKETING